Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fjalën drejtuar parlamentit bullgar deklaroi se përgjigjen për integrimin opozitës do t’ia japin shqiptarët me zgjedhjet e 23 qershorit. “Shqipëria nuk e mori as këtë vit statusin e vendit kandidat, sepse kusht ishin vendosur 3 ligje, të cilat opozita nuk i voton, sepse si duket, gabimisht mendon se kjo, do i shkojë si kredit për qeverinë. Por, me sa duket kjo do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme nga shqiptarët. Integrimi është objektivi ynë kombëtar madhor”, u shpreh Topalli. Kryeparlamentarja në mesazhin e saj drejtuar parlamentit bullgar tha se mes dy vendeve është intensifikuar bashkëpunimi në të gjitha drejtimet, ndërsa koha që po jetojmë, integrimi, globalizmi na imponon të shohim për të gjetur shumë fusha të tjera bashkëpunimi. Duke bërë një prezantim të zhvillimeve në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit ajo tha se Shqipëria sot renditet në një vend me të ardhura të mesme e të larta, ndërsa ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, si rrjedhojë e partneritetit në rritje me strukturat e sigurisë rajonale dhe globale, pas anëtarësimit në NATO. Më tej ajo vuri në dukje investimet në turizëm, infrastrukturë si dhe përpjekjet për adaptimin e një modeli ekonomik që lejoi dyfishimin e të ardhurave, rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Me modelin që adaptuam në 4 vitet më të mëdha të krizës botërore, Shqipëria ruajti rritje ekonomike, 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit. Modeli ynë fiskal funksionon ne mënyrë optimale dhe garanton rritje, qëndrueshmëri e shndërrim të rritjes në mirëqenie për qytetarët”, tha Topalli.