Bullgari – Do të rritet presioni ndaj Maqedonisë

Ministri Bozhidar Dimitrov ka deklaruar se presioni diplomatik ndaj Maqedonisë duhet të vazhdojë dhe të intesifikohet në të ardhmen. “Presioni diplomatik ndaj Shkupit duhet të vazhdojë të praktikohet në të gjitha rastet me shtetasit bullgarë në vend. Nota verbale është një paralajmërim se Bullgaria mund të heqë dorë nga mbështetja e Maqedonisë për anëtarësim në BE. U dha një porosi se pozicioni bullgar mund të ndryshojë në raport me këtë vend”, theksoi Dimitrov. Sofja zyrtare paralajmëroi të martën Shkupin se për shkak të dënimit të padrejtë të shtetases bullgare Spaska Mitrova, Bullgaria mund të vendosë veto kundër anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Sipas autoriteteve bullgare, Gjykata e Shkupit e ka dënuar Mitrovën vetëm për shkak se është bullgare. I pyetur nëse Sofja mund ta pengojë vendimin për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së për shkak të rastit Mitrova, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bullgare Dragovest Goranov deklaroi: “secili shërbim diplomatik bën gjithçka është e mundur për ta bindur palën tjetër në rregullshmërinë e ideve të veta dhe lë hapësirë të ndërmarrë edhe mundësi të tjera apo të heqë dorë. Ne duhet t’i shtjerrim të gjitha mundësitë e tjera dhe të marrim përgjigje të qartë nga autoritetet e Maqedonisë se ata kanë dëshirë të sinqertë të jenë anëtar të BE-së, për çka nevojitet t’i plotësojnë kërkesat. Ne do të ndjekim nëse ata do t’u përgjigjen kërkesave të tilla. Për ne është më mirë t’i mësojmë t’i respektojnë, e jo të vendosim pengesa”.

Advertisement