Banka e Shqipërisë konstaton se suksesi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të rrisë gatishmërinë e bankave në kredidhënie.
Portofoli i kredive me probleme u reduktua me rreth 2 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, kryesisht në përgjigje të masave rregullatore që mori Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti. Ky është një sinjal inkurajues në drejtim të pastrimit të bilancit të sistemit bankar.
Megjithatë, sipas planit ndërinstitucional të aprovuar të masave, ai duhet të mbështetet nga përmirësime ligjore dhe nënligjore, të cilat parandalojnë rritjen e kredive me probleme dhe mundësojnë një zgjidhje të shpejtë të tyre.
Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë i sjell në vëmendje të të gjitha agjencive publike të përfshira në këtë projekt, nevojën për zbatimin e shpejtë dhe me rigorozitet të angazhimeve të përbashkëta për ujlen e kredisë me probleme dhe rritjen e kreditimit të ekonomisë.
Sipas Bankës, në fund të qershorit kreditë me probleme ranë në nivelin 20.3 për qind, nga 22.7 për qind që ishin në tremujorin e parë dhe 24 për qind në të njëtën periudhë të vitit të kaluar.Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që brenda vitit kreditë e pakthyera të zbresin nën nivelin 20 për qind, një target i cili me shifrat e tremujorit të dytë tashmë duket gati i arritur.