Bruksel | Takimi Thaçi-Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve

Takimi i pestë mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi,pritet të vazhdojë ditën e nesërme. Para takimit trepalësh, përfaqësuesja e lartë BE-së, Catherine Ashton, ka takuar sot veçmas kryeministrin e Serbisë, Daçiç dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi, ku sipas raportimeve të medias në Prishtinë, nuk ka pasur deklarata. “Pas takimit nuk ka patur deklarata, mirëpo ajo që kemi arritur të kuptojmë është se është biseduar për shuarjen e strukturave paralele dhe për gjykatat në veri të Kosovës”, raportoi sot nga Brukseli, Televizioni i Kosovës. Sipas medias kosovare, pas vazhdimit të takimit të ditës së nesërme priten deklarata. Ndërsa, sipas medias serbe, në këtë raund të pestë bisedimesh në nivel kryeministrash, temat kryesore do jenë institucionet në veri të Kosovës dhe statusi i zyrtarëve ndërlidhës në Beograd dhe Prishtinë. “Bisedimet për sot kanë përfunduar. Nuk ka marrëveshje dhe deklarata. Bisedimet pritet të vazhdojnë nesër pasdite”, citon Radio Evropa e Lirë korrepondentin në Bruksel, sipas të cilit, “dy kryeministrat kanë folur gati tre orë”.

Advertisement