E ashtuquajtura Marrëveshja Reformuese e Bashkimit Evropian vendos baza të reja për një BE e cila në të ardhmen duhet të funksionojë më mirë dhe në mënyrë demokratike. Ajo u nënshkrua para dy vjetësh në Lisbonë, por deri në ratifikimin përfundimtar nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së pati shumë konflikte brenda bashkësisë evropiane si edhe diskutime të ashpra politike rreth saj. Republika e Çekisë ishte e fundit që e miratoi atë pasi presidenti i saj Vaclav Klaus ishte i mendimit se ajo nuk ishte në të njëjtën linjë me kushtetutën e vendit të tij. Por pas vendimit përfundimtar të marrë nga Gjykata Kushtetuese Çeke dhe bindjes së Klaus për firmosjen e kësaj marrëveshje, Traktati i Lisbonës quhet i ligjëruar. Ai parashikon ndër të tjera edhe zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian, duke shënuar një pikë plus për Shqipërinë, e cila e aspiron një gjë të tillë. Ceremonia e nisjes së funksionimit të Traktatit të Lisbonës do të mbahet në kryeqytetin portugez ku marrin pjesë edhe Presidenti i ardhshëm e Këshillit të përhershëm të BE-së Herman Van Rompuy dhe përfaqësuesja e parë e propozuar për marrëdhëniet me jashtë në BE, Chaterine Ashton.


