Pas punimeve, ai e cilësoi këtë samit pozitiv, ndërsa deklaroi se ka informuar miqtë e tij, për bllokimin që opozita shqiptare po i bën reformave integruese. “Unë mendoj se kam qenë gjithnjë një intelokutor i besueshëm dhe transparent me miqtë e mi. Unë sjell këtu të gjitha të vërtetat e zhvillimeve në Shqipëri dhe i përmbahem tezës se ky duhet të jetë veçse një proces i merituar. Natyrisht, besoj se është e qartë dhe nuk di ndonjë njeri në familjen e Partive Popullore Evropiane që të mos ketë kuptuar me kohë se, njeriu që bërtet është edhe ai që vetë bllokon. Kjo tani është evidente fare. Por përsëri ka pasur një progres. Ka një qëndrim momental i lidhur me siguri me zhvillimet e kësaj jave në Bruksel, pasi ka një përqendrim të veçantë mbi reformat në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e tyre. Le të shohim se çfarë qëndrimesh do të mbajnë. Qëndrimi bllokator i tij është tashmë i njohur, jo vetëm nga qendra e djathtë, por nga të gjitha rrymat politike të Evropës”, tha ai. Kryeministri Berisha, shtoi më tej se opozita duhet të mbajë përgjegjësi përpara shqiptarëve, për bllokimin që po i bën reformave. “Ata që e konceptuan dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve”, tha ai Berisha ka komentuar gjithashtu marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, ku ka apeluar për zbatimin e saj nga të dyja palët. “Në fjalën time theksova se marrëveshja u jep përgjigje problemeve madhore që ekzistonin, por ajo që mbetet për t’u çmontuar dhe për t’i mbetur të shkuarës, janë strukturat paralele, paramilitare, të cilat kurrë nuk mund të garantojnë as liritë e të drejtat, as zhvillim të atyre rajoneve dhe që mbahen për qëllime të caktuara. Theksova gjithashtu se respektimi i marrëveshjes nga të gjitha palët është një gjë e domosdoshme, në mënyrë që paqja, stabiliteti, të konsolidohen”, tha Berisha. Në këtë samit ishin të pranishëm kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Evropë, anëtare të Partisë Popullore Evropiane, të cilët diskutuan për zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje evropiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Evropian.