Bruksel | Fyle: Vlerësim për reformat e ndërmarra

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë Stefan Fyle e ka cilësuar marrjen e statusit nga Shqipëria si një vlerësim për reformat e ndërmarra.

Gjatë një konference për styp, komisioneri Fyle ka theksuar se statusi nuk është hapja e negociatave për anëtarësim, por vlerësim për reformat e ndërmarra deri tani. Gjithashtu në fjalën e tij, Fyle u shpreh se Shqipëria tashmë është një hap më afër drejt BE-së por ka ende sfida për të kaluar. Sipas tij, “Dhënia e statusit të vendit kandidat është një rrjedhojë logjike e përpjekjeve të Shqiperisë për reforma. Raporti ynë nga fillimi i këtij muaji dhe vendimi i sotëm i ministrave është pranimi nga ana e BE-së i përpjekjeve të bëra dhe progresit të arritur në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit”. Në të njëjtën kohë, theksoi Fyle, “duhet parë si një nxitje për të vazhduar me reformat ekzistuese dhe ndërmarrjen e reformave të reja, të nevojshme për ta përgatitur Shqipërinë për nisjen më pas të negociatave të anëtarësimit”. Sipas Komisionerit Fyle, “që Shqipëria të përparojë më tej në udhën e saj të integrimit në BE, ka ende përpara sfida të mëdha. Shqipëria do të duhet të vazhdojë dhe të konsolidojë përqasjen e saj sistematike ndaj reformave, të trajtojë të metat ekzistuese dhe të përballet me sfidat e mbetura në lidhje me BE-në”. Për ta përmbyllur, theksoi Fyle, “dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë eshtë një dëshmi e qartë se procesi i zgjerimit është i besueshëm dhe dinamik, dhe se BE-ja u përmbahet premtimeve dhe angazhimeve të saj, kur partnerët japin rezultate në detyrat e shtëpisë lidhur me reformat”.

Advertisement