Bruksel | Basha lobon ne PPE për marrjen e statusit

Asamblea Politike e Partisë Popullore Evropiane, e cila përbëhet nga 73 parti, nga 39 vende, zgjodhi si Presidentin e saj te ri Joseph Daul. Daul, i cili mbante postin e Kryetarit të Grupit të PPE-së në Parlamentin Europian, u zgjodh me 112 vota nga 124 vota në total. Presidenti i ri i PPE-së, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm zgjedhjen në krye të Partisë me ndikimin më të madh politik në Europë. Zyra e shtypit e PD-së bëri të ditur se në Asamble mori pjesë edhe Kryetari i opozitës, Lulzim Basha i cili e konsideroi një lajm shumë të mirë zgjedhjen në këtë post të zotit Daul, i njohur për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit. Basha ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në këtë Asamble, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, sikundër i ka njohur me goditjen e rëndë që i është dhënë demokracisë në Shqipëri përmes blerjes së votës në Korçë. “Kam kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmëve, shumica e të cilëve janë në qeverisje sot në Europë, sepse e djathta është shumicë si në qeveritë e kombëtare, ashtu edhe në Parlamentin Europian edhe në Komisionin Europian, pra përkrahjen e tyre, që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor”, është shprehur ai. Kryetari i opozitës, ka theksuar se ecja përpara në etapat që e presin vendin për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian siç është statusi i vedit kandidat e më pas, hapja e negociatave , është korniza e duhur për të trajtuar çdo problem dhe shqetësim, përfshirë të ashtuquajturat prioritete kyçe të Komisionit dhe natyrisht shqetësimet ekzistenciale për demokracinë dhe shtetin ligjor që janë natyrisht shumë më të rëndësishme, dhe shumë më themelore se çdo prioritet tjetër. Basha shprehu besimin se “procesi integrimit europian, që do të japë më shumë mundësi opozitës shqiptare, shoqërisë shqiptare për të vënë para përgjegjësisë dhe llogaridhënies një qeveri që sot bënë shurdhin, jo transparentin, hesht për çështje të rëndësishme për publikun, hesht për çështje jetike për publikun dhe shkelmon ditë për ditë ligjin dhe Kushtetutën dhe demokracinë”. Lidhur me debatin për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, Basha e konsideroi papërgjegjshmëri të kryeministrit Rama, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë. “Ne kemi folur që ditën e parë për këtë çështje, është mungesë transparence, është mungesë llogaridhënie, është mungesë përgjegjshmërie para qytetarëve shqiptarë dhe kjo qeveri ia lejon vetes këtë luks sepse mendon se kur të vijë dita që të përballet me qytetarin shqiptar, mund t’ja blejë votën, këtë e pamë fare qartë në Korçë. Por opozita është e vendosur që për këtë çështje të rëndësishme dhe për çdo çështje tjetër së bashku me qytetarët shqiptarë, të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme për arbitraritetin, abuzivitetin, arrogancën dhe mungesën e transparences”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

Advertisement