Britani, Partia Konservatore fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare

Partia Konservatore e qendrës së djathtë në Britani ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare të së enjtes, duke mundësuar që Kryeministri David Cameron të formojë qeverinë e re, pa pasur nevojë për koalicion si në mandatin e kaluar.
Ndryshe nga parashikimet dhe analizat se Britania do të kishte një Parlament ku asnjë parti nuk do kishte shumicën dhe qeveria e ardhshme do ishte produkt i një koalicioni, duket se elektorati britanik ka pasur një as nën mëngë për të habitur të gjithë analistët politikë dhe mediatikë, vendas e ndërkombëtarë
Laburistët e opozitës përjetuan një humbje tragjike në këto zgjedhje duke u fshirë nga harta politike e Skocisë, ku nacionalistët nga 6 deputët sot kanë fituar 58 të tillë në mbarë Skocinë.
Nacionalistët skocezë tashmë nuk do të kenë mundësinë të jenë përcaktuesit për formën e qeverisë së ardhshme.
Duket se laburistët, udhëheqësi i të cilëve Ed Miliband pritet të japë dorëheqjen, janë gjendur mes dy nacionalizmave, atij skocez dhe atij anglez, ku votuesit në Angli u kanë hequr mundësinë skocezëve të vendosin për formën e qeverisë së ardhshme në ishull.
Britania sot e tutje i rikthehet politikës së vjetër jashtë koalicioneve, si gjatë mandatit të fundit kur u qeveris me koalicion për herë të parë që nga viti 1910.
Ky rezultat impresionues për Kryeministrin Cameron do të forcojë pozitën e tij negociuese me Bashkimin Europian dhe duket se e bën më të mundshëm referendumin për të ardhmen e Britanisë në BE, siç ka premtuar.

Advertisement