Braho: Kushtetuesja vendimin më të keq; Tahiri: Masa me procedurë të përshpejtuar

Mazhoranca është e vendosur të vë në funksion sa më shpejt Byronë Kombëtare të Hetimit, pavarësisht vendimit të Gjykatës për ta shpallur atë antikushtetues.
Pas ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati i cili tha se mazhoranca do të gjejë rrugën e duhur për të jetësuar Byronë, edhe kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho si dhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri kanë mbajtur të njëjtin qëndrim.
Kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e konsideroi vendimin “një çudi e madhe” duke thënë edhe se është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Ndonëse si iniciativë u mbështet edhe nga ndërkombëtarët, madje u mbështet edhe gjatë takimit të ministrit të Jashtëm, Bushati, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, Gjykata Kushtetuse e shfuqizoi. Padyshim nuk diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ky që them unë është një opinion personal, por kjo nuk e ndal qeverinë të kërkojë t’i shkojë deri në fund çështjes. Ne do shtrojmë rrugën për ngritjen e Byrosë Kushtetuese”, u shpreh Braho.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha se Byroja e Hetimit do të ngrihet, dhe se mazhoranca është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të reflektuar në kohë të shpejtë ndryshimet në projekt sipas sugjerimeve të Kushtetueses.
“Askush nuk i ka lejuar vetes komentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është një organ që do të ngrihet. Presim zbardhjen, reflektimin dhe marrjen e masave, qoftë nëpërmjet amendimit të ligjit dhe akteve ligjore”, tha ai, duke shtuar se “në respekt të plotë të vendimit, do të marrim masa me një procedurë të përshpejtuar, kur Byroja të ngrihet në këmbë”.
Për ministrin Tahiri, Byroja Kombëtare e Hetimit është një organ shumë i rëndësishëm në korrupsionin elitar, ndaj qeveria është shumë e vendosur për ta ngritur.
“Jemi në bashkëpunim me FBI-në për ngritjen dhe hapjen e çdo procedure, që nga organizimi, kriteret etj. Ky është një partneritet që garanton mbi të gjitha standardet më të larta për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë, siç është korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar kështu e me radhë”, deklaroi Tahiri.
Në shqyrtim të kërkesës së Partisë Demokratike, Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën projektin e mazhorancës për të ngritur Byronë Kombëtare të hetimit.

Advertisement