Braho: Doshi ka deklaruar se kunati i Berishës kërkon ta vrasë

Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho deklaroi se Tom Doshi fillimisht ka pretenduar se kunati i Berishës, Agim Rama ka ofruar shuma të mëdha për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi, me qëllim destabilizimin e jetës politike duke akuzuar për këto vrasje kreun e Kuvendit Meta.

“Para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta.”- tha Braho.
Kreu i Komisionit të sigurisë shton se pasi është informuar për këtë gjë ka thirrur në zyrë Ministrin Saimir Tahiri dhe kryeprokurorin të cilëve u ka kërkuar që të nisin hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për marrjen në mbrojtje të dy deputetëve Doshi dhe Fufi.
“Pasi u informova nga z. Meta për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga z. Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën.”- tha Braho.
Spartak Braho deklaroi se deputeti Tom Doshi duhet të dorëzojë provat e pretenduara për kërcënimin e jetës së tij, ndryshe policia dhe organet e hetimit duhet të bëjnë punën e tyre duke sekuestruar videon.

Advertisement