Bota sërish në prag izolimi, shtetet vendosin masa të ashpra të kufizimit të udhëtimeve

Qeveritë në disa vende të botës po planifikojnë ose kanë njoftuar tashmë për kufizime të reja për udhëtimet, që do të hyjnë në fuqi gjatë kësaj fundjave. Masat e reja janë marrë pas rritjes së shqetësimeve lidhur me përhapjen e varianteve të reja të Covid-19, që janë më ngjitëse.

Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e vendeve që kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, pas paraqitjes së varianteve që fillimisht u identifikuan në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut.

Advertisement

Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se vaksinat kundër koronavirusit, që kanë nisur të aplikohem në disa vende të botës, nuk do të ofrojnë mbrojtjen e duhur, veçanërisht ndaj mutacioneve të virusit, që kanë shkaktuar shpërthime të reja infeksioni.

Dr.Anthony Fauci, eksperti kryesor i SHBA në situatën e pandemisë, tha më 29 janar se rritja e përhapjes së varianteve të reja të Covid-19, do të thotë që kompanitë e vaksinave duhet të jenë të gatshme të prodhojnë doza të reja, në mënyrë që të mund të përballen me krizën shëndetësore. Nga ana tjetër ai tha se është e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që variantet e reja të mos zhvillohen.

Në Evropë, qeveritë janë duke vendosur kufizime të ashpra të udhëtimit. Franca do të mbyllë kufijtë e saj nisur nga sot, për njerëzit që vijnë nga shtetet që gjenden jashtë Bashkimit Evropian. Kryeministri Jean Castex njoftoi masat e reja, teksa paralajmëroi për “rrezik të madh” nga variantet e reja të koronavirusit. Po ashtu, kushdo që udhëton nga shtetet e BE-së duhet të paraqesë një test negativ për Covid-in.

Ndërkohë Britania ka njoftuar se ka shtuar në listën e ndalimit të udhëtimit edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Burundin dhe Ruandën sepse ka frikë nga përhapja e variantit të virusit, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut.

Nga dita e djeshme, Gjermania ka ndalur shumicën e udhëtarëve nga shtetet që tashmë kanë raportuar raste me variantet e reja të virusit përfshirë këtu: Britania, Irlanda, Portugalia, Brazili apo Afrika e Jugut.

Republika Çeke po ashtu ka ndaluar arritjen e udhëtarëve të huaj jo të domosdoshëm, por ka disa përjashtime.

Presidentja e Komisionit Evropain, Ursula von der Leyen ka thënë se të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme duhet të ndalohen sa më parë. Megjithatë, blloku evropian vazhdon të jetë kundër ndalesave totale të udhëtimeve apo mbylljes së kufijve kombëtarë, pavarësisht se disa vende kanë shprehur qëndrimin e tyre për ndërmarrjen e veprimeve më të ashpra.

Portugalia, që ka lidhje të forta me Brazilin, ka parë rritje të madhe të rasteve të reja dhe këtë javë ka vendosur që të kufizojë udhëtimet e të huajve. Belgjika ka ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke thënë se kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri më 1 mars.

Në Amerikën e Jugut, shumica e shteteve fqinje të Brazilit kanë nisur të vendosin kufizime për udhëtimet ndërkombëtare, për shkak të shqetësimeve lidhur me variantin e ri të identifikuar në këtë vend.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka njoftuar se udhëtarët duhet të futen në karantinë nëpër hotele dhe shpenzimet duhet t’i paguajnë vetë. Ndërkaq, kompanitë ajrore në këtë shtet, tashmë kanë nisur që të pezullojnë fluturimet për në Meksikë dhe në Karaibe deri në fund të prillit.

Përveç testit negativ para se të nisen drejt Kanadasë, udhëtarët do t’i nënshtrohen testit PCR sapo të arrijnë në këtë shtet. Nëse testi u del negativ, ata duhet më pas të izolohen për 14 ditë në shtëpitë e tyre nën një vëzhgim rigoroz nga forcat e rendit.