Bota – Forcat e djathta mbizotërojnë në PE

Ajo që bëhet e ditur zyrtarisht deri tani është se zgjedhjet kanë patur si karakteristika kryesore: Humbjet e votave prej partive qeveritare, ngritja e numrit të votave të partive të djatha ekstremiste dhe pjesëmarrja e ulët në votime nga qytetarët evropianët. Sa i përket kësaj të fundit, bëhet e ditur se në nivelin e Bashkimit Evropian, votuan rreth 43% të zgjedhësve, duke shënuar një rekord negativ. Të drejtën për të votuar për 736 vende në Parlamentin e Evropës, e kanë patur 375 milionë qytetarë të 27 vendeve të BE-së. Analistët mendojnë se ky indiferentizëm është pasojë e bindjes së qytetarëve se BE nuk ka bërë aq sa duhet për kapërcimin e krizës globale. Pikërisht nga kjo situatë duket se u favorizuan partitë e së djathtës që siguruan një fitore bindëse në këto zgjedhje. Ndërkohë, pas mesnate, rezultatet treguan se e djathta evropiane siguroi afro 267 karrige, socialistët 159, liberalët 81 vende, të gjelbrit 54, radikalët 35, konfederata e të majtëve të bashkuar 34 vende, të pavarurit 18 e të tjerët plotësojnë 88 vendet e mbetura. Austria dhe Holanda kanë qënë shembuj ekstrem të një përmbysje të përgjithshme: shumë zgjedhës kanë dashur të dënojnë partitë në pushtet dhe kanë ndihmuar partitë e armiqësisë ndaj të huajve si dhe kritikët e BE-së. Ndërkaq, në Britaninë e Madhe, laburistët e kryeministrit britanik Gordon Braun, parti e përfshirë në një numër skandalesh kohët e fundit, pritet të dalin në vend të katërt. Në rastin e Italisë, thuhet se kahu i Berluskonit ka mundur të marrë 35%, ndërsa të majtët 26% dhe ka një rritje të Lega Nord deri në 10.5%. Ndërsa në Greqi, socialistët e Pasok kanë festuar fitoren e tyre të parë ndaj konservatorëve në zgjedhjet për Parlamentin Europian që prej vitit 1994. Sipas të dhënave paraprake, me rreth 50% të votave të numëruara, ata kryesojnë me 2.7 % duke lënë pas partinë qeveritare “Demokracia e Re”. Eurodeputetët e sapozgjedhur do të ulen për herë të parë së bashku në 14 korrik në sallën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg. Dhe përpara se të nisin zyrtarisht pushimet europarlamentarët do të formohen komitetet e Parlamentit Evropian. Ndryshe nga legjislaturat e mëparshme, kësaj radhe, të gjithë eurodeputetët do të kenë të njëjtën pagë mujore 7 mijë euro neto si dhe 16 mijë euro fond për ekipin që do t’i asistojë ata gjatë mandatit 5 vjecar.

Advertisement