Familja Brown ka ende shpresa se Bobbi Kristina Brown do të zgjohet nga koma.
Më 16 Shkurt kanë qarkulluar zëra se ajo do shkëputej prej aparaturave që e mbajnë gjallë në fund të javës. Megjithatë, avokati i babait të saj, Bobby Brown, ka thënë se kjo histori nuk është e vërtetë.
Kjo, në fakt nuk është hera e parë që qarkullojnë zëra rreth gjendjes së 21 vjeçares. Po këtë muaj ishte thënë se vajza e të ndjerës Whitney Houston do të shkëputej nga aparaturat në tre vjetorin e vdekjes së mamasë së saj. Por sërish burime të brendshme e kanë hedhur poshtë këtë lajm.
Nga ana tjetër duket se ka konflikte edhe brenda familjes. Avokati i Bobby Brown ka thënë javën e shkuar se “Jerod Brown aka Jerod Carter aka YF Kennedy, vijon të lëshojë deklarata dhe të dalë në televizione, ndërkohë që ai nuk ka patur asnjë kontakt me familjen Brown ose Houston”.
Situata e Bobbi Kristina mbetet kritike, por ende nuk është marrë ndonjë vendim nga familjarët lidhur me vazhdimësinë e rastit.