Blushi largohet nga PS

Deputeti socialist Ben Blushi, një prej kundërshtarëve të ligjit për importin e mbetjeve një javë më parë, ka deklaruar largimin e tij nga Partia Socialiste. Deputeti Blushi ka bërë një analizë të gjatë të ligjit të mbetjeve duke e nisur me ndryshimin e qëndrimeve të tre partive kryesore për këtë ligj në vitin 2011, 2013 dhe sot. Duke vënë në pikëpyetje nëse këto mund të quhen ose jo parti, deputeti Blushi shkruan se “Morali nuk është mall dhe nuk është send, sado plastik qoftë ai në politikë. Prandaj morali politik nuk mund të riciklohet kaq shpejt pa një proces teknologjik të vetëshpëlarjes së ndërgjegjes.” Sipas Blushit PD kishte mundësi të rrëzonte ligjin për importin e mbetjeve duke votuar kundër tij, por sigurisht PD e tradhtoi ligjin për ta kaluar pa votat e veta, për herë të dytë, shprehet Blushi. Deputeti vijon më tej duke thënë se socialistët e demokratët tashmë po përpiqen të sabotojnë mundësinë e zhvillimit të referendumit. Blushi analizon se si Partia Socialiste zgjodhi kryetarin e saj me referendum por tashmë nuk do të lejojë qytetarët të zhvillojnë një të tillë dhe se si Partia Demokratike po e rrezikon referendumin duke u bërë pjesëmarrëse aktive dhe duke e kthyer në një cështje votimi partiak. “Ky është një kazan elektoral që unë e njoh shumë mirë. Prej tij nuk do dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër. Ai mund të riciklohet, por asnjëherë nuk do pastrohet. Prandaj kam vendosur të dal përfundimisht që aty për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin para meje: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët”, përfundon Blushi.

Advertisement