Kryeministri Edi Rama ka bërë publik emrin që do të zëvëndësojë Erion Veliajn në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ai është Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili ishte edhe mes dy emrave të përfolur, bashkë me Veliajn, si kandidatë të së majtës për kryetar bashkie në kryeqytet.
Dekreti për emërimin e Klosit ka mbërritur te Presidenti Bujar Nishani, ndërsa lajmin e dha kryeministri Edi Rama pasdite, nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Blendi Klosi do të jetë ministri ynë i ri i Mirëqenies Sociale, për të çuar më tej reformat rrënjësore të nisura nga Erion Veliaj”, shkroi Rama.
Ndërkaq, Klosi ka marrë urimin edhe nga paraardhësi i tij, Veliaj. “Punë e mbarë e krahë të lehta Blend Klosit, në drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies. Sfidë dhe mundësi fantastike për t’i shërbyer vendit e njerëzve”, shkroi në Twitter Erion Veliaj.