Joe Biden merr më në fund vendimin. Shefi i Shtëpisë së Bardhë do të kandidojë për një mandat të dytë radhazi presidencial në 2024-ën.
Nisjen e fushatës e shpalli përmes një spoti 3 minutësh ku argumenton pse amerikanët duhet t’a mbështesin për një mandat të dytë.
“Le ta përfundojmë këtë punë”, thotë Biden, një thirrje që do të shërbejë edhe si slogan i fushatës së demokratëve. Në spot, shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehet po ashtu se tani nuk është koha për vetëkënaqësi, pasi liritë dhe të drejtat janë në rrezik. Kamala Herrisin e ka përzgjedhur sërish si zëvendëse.
Donald Trump reagoi menjëherë pas shpalljes së kandidaturës nga Biden, duke e quajtur presidencën e tij ‘dështim total’.
Aktualisht, Biden është presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ashtu, si në 2020-ën, edhe gara e 2024-ës me shumë gjasa do të ketë si rivalë Bidenin dhe Trumpin, i cili kryeson bindshëm deri më tani sondazhet e zgjedhjeve paraprake mes republikanëve, ku ambiciet për kandidim i ka shpallur edhe Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.