Grammy 2021 ose thënë ndryshe nata e fitoreve për Beyonce-n! Ylli i pop-it hyri zyrtarisht në histori mbrëmjen e djeshme duke u bërë këngëtarja me më shumë çmime në historinë e Grammy-it, plot 28!
Pas fitores së “Performanca R&B më e mirë” për “Black Parade”, “Kënga më e mirë rep” dhe “Performanca më e mirë Rep” për “Savage” dhe “Videoja më e mirë muzikore”, “Brown Skin Girl”, mund të thuhet me plot gojën që suksesin e saj s’e zbehu dot askush!
Gjatë fjalës së saj, Beyonce u ndal tek e bija, Blue Ivy Carter, e cila është zyrtarisht fituesja e dytë më e vogël e Grammy për kontributin e dhënë në këngën “Brown Skin Girl”.
“Jam shumë e nderuar dhe e emocionuar. Si artiste, mendoj se është puna ime dhe e të gjithëve ne të reflektojmë kohë pas kohe. Ka qenë periudhë e vështirë, prandaj unë dua t’ju inkurajoj dhe të festoj për gjithë bukurinë e mbretëreshave dhe mbretërve me ngjyrë që vazhdojnë të më frymëzojnë mua dhe gjithë botën.
Kam punuar gjithë jetën time, që kur kam qenë 9-vjeç. E di që vajza ime po më ndjek, 2 vajzat dhe djali im në fakt. Blue, urime! Ajo gjithashtu fitoi një Grammy sot. Jam shumë krenare për ju dhe jam e nderuar të jem nëna juaj.”- u shpreh Beyonce.
Ceremonia e përvitshme e çmimeve Grammy u mbajt në 14 mars në STAPLES Center, Los Angeles dhe si në çdo event të mbajtur gjatë këtij viti, artistët kaluan pjesën më të madhe të kohës të pajisur me maska.