Mungesa e saj në tregun muzikor shqiptar është ndjerë shumë dhe këtë e vertetojnë më së miri fansat e saj, të cilët kanë dëgjuar dhe votuar pafund prurjen më të re të këngëtares të titulluar “Amor”.
Falë mbështetjes së madhe nga ana e tyre, Besa ka mundur të renditen në 10-shen e këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke u pozicionuar ekzaktësisht në vendin e 6-të.
E ardhur mjaft energjike dhe në super formë, Besa ka zbuluar për “Top Awards” planet e saj më të reja, duke u shprehur se ka bërë disa ndryshime në jetën e saj. Këngëtarja gjithashtu ka zbuluar disa detaje lidhur me këngën e saj më të re “Amor” dhe këngën që do të publikohet në fillim të vitit 2019-të, në të cilën ka ardhur ndryshe.
TA: Na kishte marrë malli për Besën, pse kjo pauzë muzikore?
Besa: Kam bërë disa ndryshime rrënjësore në jetën time, jam transferuar në Paris dhe kam nisur disa projekte atje. Ka qënë e nevojshme një kohë shkëputje e qetësie për të menaxhuar ndryshimet dhe angazhimet e reja.
TA: Eshtë cilësuar si super rikthim, sa kohë të është dashur të punosh për “Amor”?
Besa: Kënga ka nisur që verën e vitit të kaluar ‘17, kemi xhiruar klipin në Maj dhe Tetor ‘18 e perfundimisht e publikuam në Tetor.
TA: Ritmike dhe shumë në formë, mendon se këtë këngë duhet ta kishe publikuar në sezonin e verës?
Besa: Plani paraprak sigurisht që ishte të publikohej në verë por disa pengesa teknike na pamundësuan t’u qëndronim deadline-eve.
TA: Në një projekt muzikor, ti i kushton më shumë rëndësi tekstit, muzikës apo videoklipit?
Besa: Gjithçka duhet të jetë në harmoni. Ajo që sjell muzikalisht, mesazhi që përçon dhe stili i prezantimit, trendet etj duhet të jenë në raport të drejtë e në harmoni me artistin dhe atë që ai përfaqëson e dëshiron të përfaqësojë.
TA: Po përpiqeni të futeni në tregun muzikor francez, çfare po ndodh? A ka lidhje “Amor” me këtë përpjekje?
Besa: Kam disa plane në Francë por dëshiroj t’i mbaj ende sekret..(qesh)
TA: Renditesh në 10-shen e këngëve më të dëgjuara të muzikës shqiptare, çdo të thotë kjo për ty?
Besa: Po pres të renditem në vend të parë…(Qesh) Gëzohem që është pëlqyer dhe gjej rastin t’i falenderoj pa masë fansat e mi të cilët e kanë pritur rikthimin tim me durim e me kanë mbështetur me entuziazëm e dashuri të jashtëzakonshme!
TA: Cila është surpriza e radhës për publikun shqiptar dhe veçanërisht fansat e tu besnikë? Ke nisur punën për projektin e radhës?
Besa: Kemi xhiruar klipin e projektit të ardhshëm dhe në fillim të vitit 2019 do të publikohet. Jam shumë entuziaste për këtë projekt, është i freskët, trendy por inovativ e me përmbajtje./TCH