Berisha:Të shkrihet parlamenti; Balla:Baltosjen e zgjidh reforma në drejtësi

Ish-kryeministri Sali Berisha, në përfundim të seancës së sotme parlamentare kërkoi shkrirjen e menjëhershme të parlamentit, i cili sipas tij, ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, grushtin e shtetit. Akuzat e ish-kryeministrit pasojnë qëndrimin e sotëm të opozitës në Kuvend, e cila tentoi të bllokojë punimet e seancës, duke kërkuar dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit Rakip Suli.
“Prej tre javësh vazhdon bllokimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ata deputetë, që kanë përdorur mandatin për fitime vetjake, përmes fondeve publike. Ata duhet të dorëzojnë menjëherë mandatin”, tha Berisha.
Situata, sipas tij, është dramatike, ndaj në këto kushte, parlamenti meriton vetëm një qëndrim: shkrirjen e menjëhershme të tij. “Në kushtet kur Parlamenti ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, grushtin e shtetit, ky parlament nuk meriton të ekzistojë më qoftë edhe një ditë të vetme”, deklaroi ish-kryeministri.
Në reagimin e tij, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se pretendimet e PD-së nuk qëndrojnë dhe se është reforma në drejtësi ajo që do t’i japë fund historisë së baltosjes, për sa kohë që ne duam të ngremë institucione të forta të hetimit dhe gjykimit.
Balla tha se kur pala kërkuese ka legjitimitet në kërkesën e saj, ajo mund ta çojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese pa qenë nevoja që t’i bjerë bankave të sallës së parlamenti. Megjithatë, perseriti ai, reforma në drejtësi është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund gjithë kësaj.

Advertisement