Berisha: Ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme

Ish–kryeministri Sali Berisha, duke renditur një sërë akuzash të forta për lidhje të kryeministrit Rama dhe ministrave të tij me bandat kriminale më të rrezikshme në vend, u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen për zgjedhjet të parakohshme.

Për Berishën ky është kusht i të gjitha kushteve për të shpëtuar proçesin e integrimit dhe vendin nga mafja, korrupsioni dhe ministrat që vjedhin tenderat.
Një tjetër akuzë të fortë ai bëri për prokurorinë në lidhje me arrestimin e ish–guvernatorit të BSH, Ardian Fullani, duke thënë se “prokurori i shtetit mori në telefon gjyqtarin duke e kërcënuar që ta mbante në burg”.
Por ai foli për lidhje të qeverisë me krimin edhe në rastin e vrasjes së katërfishtë të Kostandin Xhuanit. Tha se policia tentoi me të gjitha mënyrat që ta shpëtonte, por u ndalua nga qytetari Enver Basha, i cili u përplas rastësisht me Xhuvanin, teksa po kthehej në shtëpi me motoçikletë.
“Enver Basha i del përpara i merr pistoletën Xhuvanit dhe ia dorëzon policit të parë që vjen. Si të mbrohej (Xhuvani)? Merret revolja e Kostandinit dhe i hidhet djalit të Skënder Demirit. Arben Demiri mbahet aty rreth 30 minuta duke rrjedhur gjak dhe nuk çohet për ndihmë. Pse? Sepse po dilte Enver Basha para policëve dhe policia pranonte dëshminë. Njëri prej dëshmitarëve u vetëvra. E zhdukën. (Bëhet fjalë për njërin nga pronarët, Andrea Omiro).
Lidhje të qeverisë dhe policisë me krimin bëri edhe me atentatin ndaj Emiljano Shullazit. E akuzoi Shullazin edhe për atentatin ndaj Fatmir Kurtit, më 24 shtator të vitit të shkuar.
“I kemi të pashlyeshme skemat kur një rom, diku në fund të unazës qëllohet. Ishte banda e Shullazit që e qëlloi se donte t’i merrte shtëpinë për ta ndarë me ministrin tuaj. Qëllohen te Rruga e Kavajës, në Qafë Kashar. Policia jep komunikata të rreme. Spitali jep komunikatë që është i plagosur. Didi i krimit me urdhër nga lart jep komunikata që nuk është i plagosur. Dhe çfarë bëjnë për ta nxjerrë të pafajshëm këtë bandit që u vë gjoba biznesmenëve? I ndajnë ngjarjet. Dhe pasi e përcjell Çipa, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Genci Xhixhës, i dërgon si xhelat mesazhin kreut të opozitës. Dhe nuk e çon në polici për të bërë deponimin.”
Në fund të fjalës së tij, duke folur për një takim që zhvilloi me një përfaqësues të Parlamentit Europian, Berisha u bëri thirrje qytetarëve për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se ky parlament nuk mund të jetë si Parlamenti Europian, pasi në radhët e tij ka kriminelë e ministra që bashkëpunojnë me bandat kriminale.

Advertisement