Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në Parlament ka komentuar të dhënat e fundit që janë publikuar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, që sipas tij faktojnë depërtimin e krimit në institucione.
“Ky është një moment i rëndësishëm i jetës parlamentare. Ligji për dekriminalizimin zbuloi fytyrën e vërtetë të krimit në Parlament, zbuloi vrasësit, trafikantët dhe njerëzit me dy fytyra e 4 emra”, ka deklaruar Berisha.
Ai i ka drejtuar një sërë akuzash kryeministrit Rama, i cili sipas tij e ka ndryshuar emrin për shkak të përfshirjes së tij në një hetim të autoriteteve spanjolle.
“Të vijë këtu kryeministri, sepse nga Edvin iu bë emri Edi për shkak të dokumentave spanjolle. Të vijë këtu të thotë, ç’është ky ndërrim emri”, ka thënë Berisha.
Duke theksuar se, ky ligj tregoi se kriminelët i futi në Parlament Edi Rama, ish-kryeministri i ka akuzuar deputetët e mazhorancës se, “tani po përpiqen të fshehin kokën si struci në diell”.
“Kjo mazhorancë po krahason vrasjen me kundravajtjen. Denoncoj Edi Ramën si një armik të egër të qënies tonë kombëtare”, ka vijuar Berisha.
Ai e ka akuzuar pasardhësin e tij se, “është një antishqiptar”, duke përmendur këtu rastin e dekorimit të kompozitorit serb Goran Bregoviç me çelësin e Tiranës, për ato që ai i ka quajtur “himnet anti-kosovare”.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi iu është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, pas dy ndërprerjeve për shkak të debateve, duke i cilësuar si të pabaza.
“Vjen në Parlament dhe devijon rendin e ditës. Berisha nuk foli asnjë fjalë për marrëveshjen, por akuzoi kryeministrin si tradhëtar”, ka deklaruar Ruçi.
Ai i është përgjigjur opozitës duke i kujtuar ngjarje të hershme të saj kur ishte në pushtet.
“20 vjet më parë deputetët e opozitës u dhunuan në shesh dhe një gazetar vdiq. Por ne nuk thamë asnjë fjalë për atë ngjarje, ndërsa ju akuzoni kryeministrin si kriminel”, ka thënë Ruçi.
Më tej ai i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, duke i kërkuar mbledhjen e Byrosë Parlamentare, “që të marrë masat përkatëse për ta përjashtuar deputetin Berisha 10 ditë nga Parlamenti”.
Por, duke marrë fjalën për replikë, Berisha ka vijuar me qëndrimin e tij, duke ritheksuar se, kriminelët i solli në Parlament Edi Rama.
“Dhe ky njeri identifikohet para ambasadorëve të huaj duke thënë se, veriorët mund të qeverisen vetëm nga kriminelët dhe se, unë vërtet i mora, por ia mora Sali Berishës që i përdorte përpara”, ka thënë Berisha.
Tani që ligji për dekriminalizimin ka hyrë në fuqi, ka vijuar ai, asnjë nga deputetët e PD nuk ka dalë me penalitin edhe më të vogël për veprat penale të parashikuara.
“Por unë sfidoj të marrim listën e 140 deputetëve dhe të gjejmë për secilin prej tyre që është këtu, nëse gjendet dikush me precedentë kriminalë”, ka shtuar Berisha.