Berisha: Rama ka përqendruar të gjitha pushtetet!

Sali Berisha ju kërkon të djathtëve, edhe atyre zemërthyer, por dhe të majtëve të besojnë te alternativa që ofrojnë kandidatet e bashkive së qarkut të Beratit për të sjelle ndryshimin që siç thotë ka ndalur nga momenti që PD iku nga pushteti.

Për kreun e demokratëve, alternativë e vetme që kanë sjellë socialistët në pushtet janë gënjeshtrat.

Advertisement

“Unë kam kërkuar që të gjejmë një barometër të gënjeshtrave e ta varim aty në parlament, se ju nga mëngjesi deri në darkë në sesionet e parlamentit dëgjoni rilindasit që nxjerrin vetëm gënjeshtra ndaj jush”.

Ish-kryeministri flet me siguri se pushteti të transformon dhe pasja e çdo pushteti Edi Ramën e ka kthyer në një diktator që nuk të dënon në burg, por me skamje.

“Sot ne jetojmë në një regjim ku çdo pushtet është përqendruar në duart e një njeriu. Ky është tipari më thelbësor i të gjitha diktaturave. Ky njeri sot nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka skuadra pushkatimi, por ky ka në dorë darën e tmerrshme të varfërimit të shqiptarëve, duke i vjedhur ata dhe duke i përzenë ata çdo javë, çdo vit, çdo muaj nga vendi i tyre. Ky njeri nuk ka skuadra pushkatimi, nuk ka burgje dhe kampe përqendrimi, por ky njeri ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e varfërisë. Dhe tirania e varfërisë është një nga format më të egra të tiranisë. John Kennedy thotë se, njëri nga tri armiqtë kryesorë të njeriut, është varfëria”.

Premton rrugë, energji me çmim më të lirë dhe investime për bujqësinë sapo të vijnë demokratët dhe aleati i tyre Ilir Meta në pushtet.

“I garantoj bizneset se programi ynë i taksave të ulëta, mbetet linjë themelore e jona, dhe se energjia që është shndërruar sot në një kamxhik për to, do të zbresë nga 220 në 6 lekë kilovatin, ashtu siç e kanë pasur përpara. Po ku e bazoj unë këtë? E bazoj këtë, sepse ajo strategji e ndërtimit të HEC-eve e ka përmbysur situatën energjitike të Shqipërisë. Shqipëria prej 2 vitesh prodhon 2 miliardë kilovat orë më shumë se konsumi. Në vend që këto tu kthehen bizneseve, në vend se t’ju kthehen ju, ato shfrytëzohen, vidhen nga dyshja Rama-Balluku”.

Në Berat koalicioni “Bashkë Fitojmë” kandidon mjekun Zija Ismaili përballë profesorit të ekonomisë, kryebashkiakut aktual Ervin Demo.