Berisha: Krimi e kokaina dominon vendin, qytetarët të protestojnë

Ish-kryeminsitri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se nuk po bën asgjë për situatën e sigurisë në vend.

Ndërsa në Parlament në nisjen e sesionit të ri asnjë deputet nuk pati mudësi fjale, Berisha deklaroi për mediat jashtë se krimi po dominon vendin. Sipas tij Shqipëria është Kolumbia e Europës, ndërsa ekonomia po shkon drejt greminës.
Ish-kryeministri, Berisha akuzoi qeverinë se po ushtron terror policor ndaj qytetarëve për energjinë. Nisur nga kjo situatë e rënduar sipas tij, njerëzit duhet të ngrihen fuqishëm dhe t’i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie.
Deklarata e plotë e ish-kryeministrit, Sali Berisha:
Krimi po dominon vendin, tritoli, kokaina, bandat e tjera, de fakto po kontrollojnë territorin e Shqipërisë. Sot kur Shqipëria u bë e famshme si Kolumbia e Europës, në 2 ditë tre makina hidhen në erë në mazhorancën e tritolit, ekonomia është në rrokullimën më të madhe. Ushtrohet një terror i paparë për qytetarët për energjinë. Qytetarët vetëvaren në qeli, e ndërsa kupola ulet në Parlament. Parlamenti nuk mund të flasë, vendoset në kohë të heshtjes, sot kur terrori me energjinë është i paimagjinueshëm. Faturat vijnë 2-3 herë më të larta, faturat e paguara nuk njihen. Rama po përgatit gjobën e dytë, atë të matsave inteligjent. Qytetarët duhet ta ndërrojë vetëm se dukush po përgatitet për t’i fryrë xhepat. Sot terrori po ushtrohet mbi 40 mijë arsimtarë që janë në dorën e Lizave, sot terrori ndjek bluzat e bardha dhe infermierët, nga Beqajt e qeverisë. Në vend që Parlamenti të diskutojë në frymë të hapur, krerët e mazhorancës kanë vendosur Parlamentin në kodin e heshtjes që është dhe kodi i mafies.
Iu bëj thirrje qytetarëve të mos nënshtrohen ndaj terrorit të energjisë, iu takon atyre të ngrihen fuqishëm, është një mënxyrë e madhe në kuriz të qytetarëve. Mësuesit të mos i nënshtrohen moralit të Lizave, mjekëve që kanë kuruar dhe kurojnë mijëra sëmurë t’i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie që me urrjetjen e pakufijshme i ka vendosur ata mbi një terror. Kësaj qeveri që sillet me arogancë të paparë t’i japin përgjigjen e merituar.

Advertisement