Berisha: Gjykata e Lartë, hanxhar në dorën e Ramës

“Hanxhar i regjimit të Edi Ramës” e ka cilësuar Gjykatën e Lartë ish – kryeministri Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale pas vendimit për pushimin e çështjes ndaj dy deputetëve të mazhorancës Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, të cilët sulmuan fizikisht në korridoret e parlamentit deputetin demokrat Gent Strazimiri.
Sipas ish-kryeministrit ky vendim, i pari i këtij lloji në historinë e pluralizmit të vendit është në kundërshtim flagrant me të gjitha gjykimet dhe direktivat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Berisha thotë se me këto vendime haptas politike e armiqësore të Gjykatës së Lartë, për opozitën shqiptare, po krijohet një situatë që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, ku e drejta dhe sëbashku me të edhe opozita janë vendosur në gijotinën e regjimit.
Sipas tij opozita vendoset para alternativës më të rëndë në tërë historinë e saj, ndaj ai bën thirrje që opozita të ngrihet e gatshme për çdo vendim, çmim dhe sakrificë, për të mbrojtur ekzistencën reale të saj!
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilëson lajm të zi për Shqipërinë, demokracinë dhe parlamentarizmin shqiptar vendimin e Gjykatës së Lartë. Sipas tij me këtë vendim kryeministri Rama në vend të dekriminalizimit, si një nevojë urgjente dhe jetike e politikës dhe shoqërisë shqiptare, vulosi veprën e tij të kriminalizmit të pushtetit.
Ai thotë se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për dekriminalizimin dhe se zgjidhja do të vijë përmes gjykimit supreme të votës popullore.
Ndërsa deputeti Eduart Halimi në një dalje për mediat nga Partia Demokratike e cilësoi vendimin dëshmi të kapjes së drejtësisë nga mazhoranca.

Advertisement