Mbyllja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka ngjallur debate në seancën e sotme parlamentare. Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka thënë se me FMN u arrit marrëveshje në cdo aspekt, përfshi draftin e buxhetit 2017. Ahmetaj tha se edhe sipas FMN-së borxhi në 2016-ën është ulur në 71.3% dhe se në 2017-ën do të shkojë në 69.1%. Por ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka kritikuar qeverinë për largimin në shkurt të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Berisha tha se Fondi nuk mund të largohet për sa kohë borxhi është mbi 70%.
“Qëndrimi apo jo i Fondit duhet të jetë një gjë e përcaktuar nga kriteret dhe jo nga vullnetet. Me borxh mbi 70% fondi nuk mund të largohet për asnjë mënyrë. Ke mashtruar Fondin në mënyrë monstruoze. Morrët borxh verbërisht, vetëm për t’u kapardisur ai tjetri që shet injorancë nga mëngjesi në darkë për të thënë që prura buxhetin më të madh në histori. O i lehtë në mendje, po të marrësh borxh buxhetin mund ta dyfishosh, po barra e tij në të ardhmen të lëshon përtokë”, tha Berisha.
Sipas tij edhe ajo që është quajtur rritje rrogash është vetëm indeksim i tyre, dhe se deputetët e Partisë Socialiste vetëm mashtrojnë.
Ministri Ahmetaj i është përgjigjur ish kryeministrit Berisha se FMN e kërkoi vetë maxhoranca aktuale, ndërsa qeveria e mëparshme e kishte dëbuar.
“Historiku politik dhe institucional tregon që me FMN kemi dy sjellje të ndryshme ju dhe ne. Marrëveshjem detyruese e kërkuam ne, ju nuk e kishit. E kërkuam për dy arsye kryesore, për ditën e zezë që gjetëm financat publike dhe rritjen ekonomike, dhe domosdoshmërinë për të qënë partnerë në rimëkmëbjen e ekonomisë që sot ka ndodhur”, tha Ahmetaj.
Lidhur me akuzat për rritjen e pagave dhe pensioneve Ahmetaj tha se rritja është reale. “Rritja e pagave është 10% dhe fondi 12 mujor shkon mbi 100 milionë dollarë. Do ta fillojmë në një mars dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve”, tha ai.