Berisha, apel shqiptarëve për të mos u larguar nga vendi: Faji, i qeverisë

Arkiv

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë të paralajmëruar për shtyp, ka folur sot për atë që e ka konsideruar si “largim masiv i shqiptarëve”, por edhe për çështje të tjera politike dhe ekonomike.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në Shqipëri, për të larguar, sipas tij, aktorin kryesor të këtij eksodi, Edi Ramën. “U bëj thirrje qytetarëve që të qëndojnë këtu dhe të largojmë aktorin e kësaj drame, Edi Ramën”, tha ai, duke e quajtur Shqipërinë si pasardhëse të Sirisë për largimin masiv të popullit.
Berisha fajësoi qeverinë aktuale për këtë fenomen, që “me masat shtrënguese që ka ndëmarrë po detyron qytetarët shqiptarë të largohen nga vendi”. “Kjo qeveri ia doli në 18 muaj të rilindë eksodet, të cilat janë një fatkeqësi e madhe kombëtare. Në histori ato kanë shoqëruar pushtimin, luftërat civile, mjerimin e madh ekonomik. Në vitet ’90-’91 ndodhën eksodet më të mëdha të vendit tonë, ku në 4 banorë, një u largua nga Shqipëria”, u shpreh ish-kryeministri.
Për Berishën, sot Shqipëria është në grupin e vendeve me të ardhurave të mesme dhe të larta dhe pas heqjes së vizave, në vitet 2010-2013, statistikat europiane tregojnë se renditemi të parafundit në rajon për kërkesat për azil. Ai shtoi se në vitin 2015 ka një rikthim të frikshëm dhe të fuqishëm të eksodit. “Renditemi pas sirianëve në listën e azilkërkuesve. Çdo shqiptar duhet të shtrojë pyetjen: Si ka mundësi që kthehen eksodet në Shqipëri? Çfarë ndodhi në këtë vend? Pse shqiptarët po përdorin heqjen e vizave për tu dyndur në azil?”, ishte pyetja e Berishës. Për të, e gjitha kjo ka vetëm një autor kryesor: Edi Ramën.
Për Berishën, kryeministri vret shpresën, mbjell vetëm vrer, urrejtje dhe dramën e tij të brendshme psikike, negativitetin e tij e shndërron në dramë. “Në fjalorin e tij nuk gjen një fjalë zhvillim, ndërtim, punë, punësim, shpresë, besim, konsensus. Krijon energji negative për të vrarë shpresën e shqiptarëve se mund të kenë të ardhme në këtë vend. Sot numërohen 38 mijë qytetarë të ndaluar apo arrestuar nga shteti policor i Edi Ramës. Ka burgje ku qytetarët varin veten nga torturat çnjerëzore”, u shpreh Berisha.
Duke iu rikthyer atij që e ka konsideruar si “skenari grek”, Berisha tha se përmes një skenari të tillë, Rama po largon investitorët e huaj dhe vendas nga Shqipëria, ndërsa borxhi, sipas tij, është rritur në qiell duke vrarë shpresën për biznese dhe investime në vend. Ish-kryeministri u ka bërë thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore “të rishqyrtojnë qëndrimet ndaj qeverisë shqiptare”, ndërsa vetë shqiptarët i ka ftuar të reagojnë ndaj papunësisë, skamjes, mjerimit, të lidhura me kupolën e pushtetin.
“U bëj thirrje shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria. Shanset për azil janë inekzistente. Me largimin dhe kërkesë politik, vini në rrezik real heqjen e vizave, ndaj ju ftoj të qëndroni dhe bashkërisht të bëjmë gjithçka për të larguar Edi Ramën dhe qeverinë e tij të eksodeve”,  tha më tej Berisha.

Advertisement