Duke folur për lëvizjen e lirë të shqiptarë, si një mundësi që politika e vjetër ua mohoi shqiptarëve edhe këtë herë, Rama u angazhua se brenda vitit të parë të qeverisjes së socialistëve kjo gjë do të jetë e mundur për këdo. Rama shprehu bindjen se tashmë edhe pak ditë kanë mbetur nga ndryshimi i madh dhe kundërshtari i tij Sali Berisha, i cili sipas tij në këtë garë është thjeshtë një humbës që nuk mund të meritojë atë notë që ai pretendon, pasi nuk bëri asgjë nga ato cka ai premtoi 4 vite më parë, përkundrazi thelloi varfërinë dhe papunësinë. “Do notën 10, për nivelin më të lartë të papunësisë në vend. Do notën 10 për faktin se në Shqipëri jeton e lumtur vetëm një familje dhe kjo është familja e tij. Jeton i lumtur vetëm një oborr dhe ky është oborri i shërbëtorëve dhe i klientëve të pushtetit të tij. Do notën 10 dhe e do me pahir. Do notën 10 Sali Berisha për këtë shtet të cilin e ka vërsulur kundër mësuesve, kundër mjekëve, kundër nënpunësve kundër njerëzve në nevojë, të cilët i kërcënon që të gjithë me bukën e gojës po nuk i vunë notën 10-të”, theksoi kryesocialisti Rama në fjalën e tij drejtuar banorëve të qytetit te Beratit. Edi Rama në Berat ashtu si edhe në takimet e tjera gjatë ditëve të fundit ka vënë theksin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke kërkuar që pushtetarët të heqin dorë nga kërcënimet për votën dhe ti lenë shqiptarët të votojnë të qetë e të lirë, pa presionin dhe kërcënimin për bukën e gojës. Nuk mund të marrin vota me dhunë, ka vlerësuar Rama. “Ta lenë Shqipërinë të votojë lirisht, ti lenë qytetarët e këtij vendi të shprehin lirisht vullnetin e tyre me votë. Ta harrojnë, nuk do ta marrin kurrë votën e mësuesve, nuk do ta marrin kurrë votën e mjekëve, nëpunësve dhe votën e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi”, theksoi Rama. Gjatë këtij takimi shumë entuziast Rama është shprehur i bindur për një fitore spektakolare duke lajmëruar se vullneti i shqiptarëve nuk do të deformohet në këto zgjedhje. “Jemi të përgatitur ta mbrojmë votën e popullit më 28 qershor, më mirë se ce mbrojtëm në Tiranë dy vite më parë. Dhe me 28 qershor do të fitojmë në Berat, Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë me një rezultat historik që nuk ka forcë që e përmbys me rrugë dhe me mjete të paligjshme. Fitorja jonë e 28 qershorit do të jetë një fitore spektakolare e të ardhmes ndaj të shkuarës, e të resë ndaj të vjetrës, e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij vendi ndaj një grushti politikanësh të korruptuar të një pazari dhe politike që më 28 qershor do të marr fund”, tha Rama.