Berat | Kryeministri inauguron shkollën “Sali Gjuka”

Kryeministri garantoi përfundimin e ndërtimit apo rindërtimit të të gjitha shkollave në vend, rritjen e mëtejshme të pagave në arsim, internet në çdo klasë dhe fokus të veçantë në rritjen e cilësisë. Qeveria, tha Kryeministri, ka përparësuar arsimin në programin e saj dhe në gjashtë vite janë ndërtuar e rindërtuar 71 përqind e të gjitha shkollave të vendit, ndërsa pagat e mësuesve janë rritur me 147 përqind, krahasuar me vitin 2005. Vetëm në qarkun e Beratit, në një periudhë gjashtë vjeçare, janë ndërtuar apo rindërtuar 70 shkolla. Pasi vizitoi ambientet e shkollës, Kryeministri Berisha e konsideroi inaugurimin e kësaj shkolle, investim me vlerë 67 milionë lekë dhe e standardeve bashkëkohore, me 23 klasa, 4 laboratorë dhe mjedise sportive, një tjetër dëshmi e vëmendjes që i është kushtuar modernizimit të infrastrukturës arsimore. Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë ta konsiderojë orientim prioritar arsimin, duke shtuar vëmendjen dhe investimet për një shkollim sa më cilësor të të rinjve shqiptarë dhe kusht për një Shqipëri të zhvilluar. “Ne besojmë, – tha Kryeministri, – se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi për mendjen, për dijet e fëmijëve tanë, e brezave që vijnë.”. Kryeministri shprehu kënaqësinë që krahas dyfishimit të buxhetit në sektorin publik, në Shqipëri po konsolidohet me shpejtësi sektori privat në fushën e arsimit, ku sot janë 540 institucione arsimore private. Sektori privat ka një kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në vend dhe, ndërsa buxheti për arsimin gjashtë vite më parë ishte rreth 25 miliardë lekë, sot, buxheti për arsimin në sektorin publik e privat është mbi 50 miliardë lekë.