Berat | Kryeministri Berisha: rama mori peng statusin, bëri gabim historik

Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, se Partia Demokratike angazhohet të bëjë gjithçka për mirëqenien e fermerëve të Lumasit, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit të qendrës së komunës Lumas në Berat, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Vij tek ju për t’iu garantuar se 4 vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në komunën e Lumasit. Garantoj fermerët e Lumasit se 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermat tuaja dhe projektet tuaja. Vij për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë do të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve në komunën tuaj dhe mbarë Shqipërinë. Vij këtu për t’ju garatuar se 4 vitet që vijnë ju do të keni zero taksa, do të rimbursojmë me para në dorë çdo import që bëni për fermat tuaja, për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe imputet e tjera që përdorni. 4 vitet që vijnë do të rimbursojmë taksën e vlerës së shtuar (TVSH-në) për çdo gjë që përdorni ju, për ullishtet, vreshtat, serat, gjedhët, të imtat, bletët dhe çdo gjë tjetër të ekonomive tuaja”. Sipas Kryeministrit Berisha, 4 vitet që vijnë mbështetja e qeverisë për fermerët do të shumëfishohet edhe nëpërmjet Komisionit Europian. “Rama ishte ai që mori peng statusin e vendit kandidat për Lumasin, Beratin dhe Shqipërinë. Ai që duke marrë peng statusin e vendit kandidat privoi fermerët shqiptarë nga një shumëfishim i mbështetjes së tyre financiare. Privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellësa. Nga krijimi i qindra mijëra vendeve të punës. Ai bëri një gabim që do mbetet në histori. 23 qershori po vjen. Së bashku me ne do të votojnë të gjithë qytetarët e Lumasit, Beratit dhe mbarë Shqipërisë që duan ta shohin vendin e tyre kandidat për anëtar në BE. Që duan që Shqipëria të hapë negociatat për në BE. Që duan që fermerët shqiptarë të përfitojnë më shumë për fermat e tyre, që të rinjtë të studiojnë në vendet europiane”, tha Berisha. Më 23 qershor, vijoi Kryeministri Berisha, “do të votojmë për Lumasin me rrugë, shkolla, kanalizime, qëndra shëndetësore të niveleve më të mira. Në komunën Lumas janë mbjellë 320 mijë rënjë ulliri. Do të votojmë për Lumasin një kopësht të mrekullueshëm të Beratit dhe Shqipërisë. Do të votojmë për rritjen e punësimit, pensioneve dhe mirëqenies”.

Advertisement