Fillimisht Berisha e akuzoi Ramën se nuk i bëri asnjë thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftimet, ndërsa ai vetë u bëri thirrje beratasve që të aplikojnë për letërnjoftimet e reja. Më tej, Berisha tha se “Edi Rama bëri aktin tjetër më të turpshëm në historinë e pluralizmit evropian dhe botëror, nuk vuri veten në krye të listës për t’i prirë partisë së tij në garën elektorale, vetëm e vetëm se e ka të sigurt disfatën”. “Por dinjiteti i burrit, i qytetarit, – komentoi Berisha, – kërkon betejë dhe jo kapitullim. Ata që kapitullojnë nuk kanë të ardhme në politikë, ndaj dhe i them zotit Rama se po të jap shansin e fundit, ke edhe 5 ditë afat, mblidh forcën dhe kurajën dhe dil në krye të socialistëve, sepse aty të duan ata, në qoftë se ndihesh kryetar i tyre”. Berisha i premtoi Ramës se “do të mbledhë parlamentin, do të ndryshojë ligjin, do të jap të drejtë të regjistrohesh qoftë edhe si kryetar bashkie”, duke i apeluar: “Dil, mos turpëro vendin, mos turpëro partinë tënde”. Kryeministri, nga Berati, lëshoi për herë të parë premtimin se “në katër vite, ne do të parakalojmë jo vetëm dy, por 6 vende anëtare të BE-së për pagat dhe pensionet”, duke përforcuar se “në katër vitet që vijnë, do të vazhdoj rritjen e papërmbajtur të pagave dhe pensioneve, derisa ne, së bashku, të dalim para 6 vendeve anëtare të BE-së”. Këtë Berisha e argumentoi me faktin se “ne kemi vuajtur mjaft dhe nuk kemi përse të vuajmë më tepër”, ndërsa pranoi se standard evropian do të thotë që “ju të paguheni si paguhen qytetarët në vendet evropiane”, por duke kërkuar “mirëkuptimin tuaj sepse nuk mund të them se në katër vite, ne do të arrijmë të paguhemi si në Gjermani, Francë apo Britani”. Një tjetër premtim i ri i Berishës, ishte ai për një universitet në Berat. “Së shpejti, ju do të keni universitetin tuaj, që do të ketë mbështetjen maksimale të qeverisë, në mënyrë që ai të shndërrohet në një epiqendër të madhe të dijes, shkencës dhe studimit”, u tha Berisha qytetarëve. Kryeministri pohoi në miting, se Berati evropian dhe Shqipëria evropiane do të thotë që “ju të keni ujë të pijshëm 24 orë”, duke lajmëruar se mandatin e dytë, nëse do ta fitojë, “mund ta quajmë edhe mandatin e ujit”. Shefi i qeverisë u tregua i sigurt kur u shpreh se “në mënyrë absolute, ne do të çojmë ujë, 24 orë, në të katër anët e vendit”. Këtu ai u ndal dhe në çështjen e energjisë elektrike, e cila ka qenë një dramë shpesh me pasoja tragjike për shqiptarët në këto dy dekadat e fundit. Ai premtoi se vendi do të importojë energji sa të jetë e nevojshme dhe me çdo çmim, “dhe ju nuk do të keni kurrë mungesë energjie”, duke pohuar menjëherë më pas edhe se “Zoti e ka bekuar këtë vend që të notojë në ujëra në të gjitha anët”. Si në çdo miting tjetër, Berisha premtoi edhe në Berat, lëvizjen e lirë në Evropë. “Shqipëria evropiane dhe Berati evropian do të thotë që ju, burrat dhe gratë e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, djemtë dhe vajzat e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, të cilët për shekuj e mijëvjeçarë mbajtët në shpirt dëshminë e identitetit evropian, të lëvizni të lirë në mbarë Evropën, brenda 12 muajve të mandatit të parë”.