Beqaj: Brenda tetorit, koronarografi edhe në orët e vona të natës

Kabineti i hemodinamikës në shërbimin e kardiologji/ kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, ka tashmë një aparat të ri angiografie. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilloi sot në këtë institucion me rastin e vënies në punë, të kësaj pajisjeje për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardio-vaskulare.

“Instalimi i kësaj pajisjeje të teknologjisë moderne e bashkëkohore do të mundësojë që brenda muajit tetor nëse një pacient do të ketë nevojë të bëjë një koronarografi në shërbimin publik, do të mund ta bëjë atë edhe nëse paraqitet gjatë natës, ndonëse deri më tani ky ekzaminim në orët e vona, ofrohej vetëm në spitalet private”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në takim.

Advertisement

Në fjalën e tij për të pranishmit, kreu i shëndetësisë tha midis të tjerash se “gjithçka kemi këtu me pajisjet, me mjekët, me personelin janë një bazë e mirë që brenda muajit tetor të kemi këtë shërbim 24 orë në shtatë ditë të javës”. Ai shpjegoi se përveç investimit për pajisje të reja bio-mjekësore, është shtuar edhe numri i personelit shëndetësor në shërbimin e hemodinamikës, si pjesë e nismës së ministrisë së Shëndetësisë për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit në institucionet publike të ofrimit të kujdesit shëndetësor.

Ndërsa Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së, shtoi se “nga viti 2013 në vitin 2015 është rritur me rreth 50% numri i koronarografive të zhvilluara në qendrën tonë spitalore, në kabinetin e Hemodinamikës, ndërkohë që është 24% më shumë se viti 2014”.

Sipas Prof. Dr. Artan Goda, shef i shërbimit të kardiologjisë, “vënia në punë e kësaj pajisjeje, së bashku me një furnizim më të mirë të materialeve të konsumit, ka bërë të mundur që qendra jonë QSUT të kthehet në një nga qendrat më të mëdha në gjithë rajonin, përsa i përket numrave, duke e shndërruar tashmë këtë shërbim në qendrën më të madhe të këtij specialiteti në rajon”.

Ky investim vjen menjëherë pas vënies në punë për herë të parë përveç QSUT-së, të qendrës së dytë publike të specializuar të hemodinamikës në vend në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në fillim të këtij muaji. Gjithashtu, me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave të miratuar më 29 korrik 2015 lidhur me shtesën e buxhetit për investimet e reja në shëndetësi, janë dhënë financime të rëndësishme dhe pajisje diagnostike për sëmundjet e brendshme që do të vihen në funksionim në fillim të vitit të ardhshëm duke i zgjeruar ndjeshëm mundësitë për ofrimin e këtij shërbimi në institucionet tona publike, të financuara me paratë publike.