‘Bashkë Fitojmë’/ Prezantohet emri dhe logoja e koalicionit të opozitës!

“Bashkë Fitojmë” është logoja me të cilën koalicioni i Partisë Demokratike me aleatët do të garojnë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Bashkë me emrin u publikua edhe logoja zyrtare. Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë: “BF”.

Logoja është dy duar të shtrënguara me ngjyrat rozë dhe blu. Koalicioni i bërë publik u zyrtarizua mbrëmjen e djeshme dhe mban firmën e Sali Berishës, Ilir Metës dhe përfaqësuesve të dy partive të tjera opozitare që iu bashkuan thirrjes për bashkim, PDK dhe PBDNJ.

Advertisement

Nën logon e këtij koalicioni do të prezantohen dhe kandidatët e dalë nga primaret e zhvilluara në PD.

“Vendosëm të formojmë një koalicion opozitar dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Emri i koalicionit është ‘Bashkë Fitojmë’. Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë ‘BF’. Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga organet drejtuese të saj. Partia udhëheqëse e koalicionit, sipas parashikimeve të nenit 65 e vijues të Kodit Zgjedhor është Partia e Lirisë”, thuhet në marrëveshje.

Në dokumentin e dorëzuar në KQZ është vendosur edhe sigla e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Përfaqësuesi i PL-së, Endrit Braimllari, dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 14 majit. Ai u shpreh për gazetarët se ky koalicion bashkon të gjithë qytetarët.

“E para kemi depozituar sipas afatit ligjor koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. Është koalicioni fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit. Koalicioni që bashkon të gjithë qytetarët dhe kam bindjen maksimale që ky koalicion, ‘Bashkë Fitojmë’ është koalicioni i qytetarëve është për qytetarët dhe do të jetë tmerri i vërtetë i rilindjes më 14 maj”, deklaroi Braimllari.

Kurse përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ledio Nuraj, theksoi se kjo kërkesë do të pranohet nga KQZ pasi PD është partia më e madhe opozitare.

“Jemi në bindjen e plotë që PD-ja do të pranohet nga KQZ-ja si pjesë e këtij koalicioni, pasi PD është partia më e madhe opozitare, është ajo parti që përfaqëson zgjedhësit opozitar të Republikës së Shqipërisë, është ajo parti që paraqet alternativa ndryshe, bashkë me koalicionin që përfaqëson ajo, me bazë të gjerë. Dhe PD do regjistrohet pasi mbështet dhe ka nxjerrë përfaqësuesit e të gjithë elektoratit të saj me votë të lirë nga Primaret të cilët janë kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet për kryetar bashkish”, deklaroi Nuraj.