Basha: Të bashkojmë votat për të ndalur të keqen

Ditën e mërkurë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur me një takim me banorët e Ishmit, në qytetin bregdetar të Durrësit, banorë që vuajnë sot një degradim të madh të shëndetësisë, edhe pse u premtua se do ta kishin falas.
Duke përmendur ato që vetë Lulzim Basha i quan si skandale të njëpasnjëshme, ai ka thënë se pashpirtësia e kësaj qeverie me në krye dyshen Rama-Meta, arrin deri aty sa vjedhin edhe lekët e kompensimit të ilaçeve për sëmundjet e rënda, pa harruar faljen e miliona eurove CEZ-it pak kohë më parë, por edhe shtytjen – siç shprehet Basha – drejt vetëvrasjes së qytetarëve për vetëm 3 mijë lekë energji të papaguar.
Edhe pse kanë rritur taksat dhe çmimet, – deklaroi kreu i opozitës,  – sot në arkat e shtetit mungojnë plot 100 milionë dollarë.
“Skandal pas skandali, 5 milionë dollarë nga fondi i kompensimit për insulinën dhe sëmundjet e rënda, ku janë? Ku janë zhdukur? Ku janë 100 milionë dollarë, që duhet të ishin sot në arkën e shtetit me taksat e rritura, me akcizat e rritura, ku janë? Prandaj ka kërcitur kërbaçi mbi kokat e shqiptarëve, prandaj rrëmohet deri në qindarkën e fundit në xhepat tuaj, se i fali ose ndau, 600 milionë euro me CEZ-in. Do të japë llogari më 21 Qershor, do të japë llogari në Ishëm, do të japë llogari në Durrës, do të japë llogari në Tiranë, do të japë llogari në të gjithë Shqipërinë”, është shprehur Basha.
E pasi renditi disa prej shqetësimeve më të mëdha, me të cilat përballen sot qytetarët e Shqipërisë; si papunësia; varfëria, taksat e larta, çmimet e larta dhe mungesa e mbështetjes për bujqësinë, kreu i opozitës tha se nga keqqeverisja janë zhgënjyer më së shumti votuesit e majtë, të cilët shpresuan verbërisht në premtimet e mëdha të dy viteve më parë. Madje, këta të fundit i ka ftuar të bashkohet së bashku me të djathtët më 21 Qershor, për të ndalur, siç tha, të keqen dhe për t’u kthyer njerëzve shpresën.
“E di që keni shpresuar në ato 300 mijë vende pune, që s’u hapën kurrë. E di që keni votuar për uljen e çmimit të energjisë dhe tani tmerroheni kur shikoni faturat e rritura të energjisë. E di që keni besuar se do të merrni me të vërtetë subvencione, se do e paguanit naftën më lirë, se ilaçet do i keni falas dhe sot nuk dini nga t’ia mbani, sepse të gjitha kushtojnë më shumë, ndërsa ju keni më pak lekë në xhep. Ndaj, më 21 qershor le të bashkojmë të gjithë votën, të ndalim të keqen, t’i hapim rrugë të mirës, për Ishmin, me punë dhe dinjitet”, deklaroi Basha.

Advertisement