Basha në Berat, Kuçovë e Ura Vajgurore: Rama-Meta, burim i çdo fatkeqësie

Kryetari i Partisë Demokratike ka qenë këtë të diel në Berat, ku ka prezantuar kandidatin e opozitës për kryetar të Bashkisë, Kasem Mahmutaj, dhe ku është njohur sërish me shqetësimet e shumta të qytetarëve, duke nisur nga emigracioni apo taksat e rritura, e deri te pamundësia për të ushqyer fëmijët, bëjnë me dije nga selia blu.
Basha, ndër të tjera është shprehur se për dyshen Rama-Meta populli nuk ka dinjitet dhe konsiderohet si një mall që blihet dhe, pasi i marrin votën, i vënë lakun në fyt siç e kanë dëshmuar këto dy vite në qeverisjen e vendit.
“Nuk mund t’ia lëmë peng të ardhmen tonë, fëmijët tanë, zullumit Rama-Meta. Ka ardhur koha të çohemi të gjithë në këmbë, pa dallim të djathtë dhe të majtë, e t’i themi ndal kësaj mënxyre. Ndaj zgjedhjet e 21 Qershorit nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë thjesht dhe vetëm zgjedhje vendore”, ka thënë kryeopozitari Basha.
Pas Beratit, Basha ka qenë edhe në Kuçovë, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar Bashkie, zotin Myslym Haxhi. Edhe këtu, udhëheqësi i opozitës theksoi se dëshpërimi ka kapluar çdo shtëpi, ndërsa pushtetarët pasurohen çdo ditë.
“Shqipëria e pushtetarëve është Shqiperia e vogël e luksit, e amoralitetit, është Shqipëria e favoreve për njëri-tjetrin, është Shqipëria e milionave për miqtë. Shqipëria e madhe është Shqipëria e vuajtjes, e dëshpërimit, e të papunëve, e të pamundurve, e fermerëve që shesin bagëtitë e mbetura për të paguar faturat e energjisë”, theksoi Basha.
Kreu i PD-së, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Tiranës, është ndalur gjithashtu edhe në Urën Vajgurore, ku ka prezantuar kandidatin opozitës për kryetar Bashkie, zotin Bujar Hoxha.
Duke u shprehur se dyshja Rama-Meta është burim i çdo fatkeqësie që përjetojnë sot shqiptarët, ai aludon se aleatët në pushtet “janë përgatitur t’i kthehen zakoneve më të keqija, parave për për blerë votën”.
“A do pranojmë që këtu në Urën Vajgurore, si kudo tjetër në Shqipëri të vendosin kukulla me emrin Rama-Meta të shkruar në ballin e tyre. Taksidarë që të marrin kacidhen e fundit nga xhepi juaj, njerëz që nuk duan t’ia dinë për ju? Apo do t’i themi jo? Me votën tonë do t’i themi ndal. T’i hapni rrugë shpresës, t’i hapni rrugë së ardhmes, t’i hapni rrugë punës dhe dinjitetit”, deklaroi Basha.

Advertisement