Balla: Prokuroria të hetojë Berishën, po imponon një skenar kriminal

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi të mërkurën prokurorisë që të nisë hetimet për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas tij, po imponon një skenar kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë.

“I bëj thirrje prokurorisë sot që të fillojë menjëherë hetimet për Sali Berishën dhe gjithë nxitësit e tjerë politikë të dhunës, sepse Sali Berisha përsëri nuk po kërkon zbatimin e ligjit, por imponimin me forcë të një skenari kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë”, deklaroi Balla, një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës.
Gjithashtu, ai njoftoi se ‘do të ndërmarrë nismën për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psiqike të Berishës dhe për të kërkuar mbylljen në çmendinë nëse komisioni mjeko-ligjor vërteton dyshimin e thellë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve se Sali Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm, për ato që ato që thotë dhe për ato që bën”.
Por, vijoi Balla, për sa kohë Berisha nuk është shpallur i papërgjegjshëm klinikisht duhet t’i nënshtrohet ligjit si gjithë të tjerët dhe duhet të përgjigjet për krimet e tij, duke filluar nga krimi më i fundit nxitja e dhunës, si dhe përpjekjet për përhapjen e panikut dhe destabilizimin e vendit.

Advertisement