Azerbajxhan | Përzgjidhet Trans Adriatic Pipeline për transportin e gazit azer

Projekti për gazsjellësin ”Nabuco-West” është refuzuar sot zyrtarisht nga operatorët e konsorciumit të gazit ”Shah Deniz II”, në Azerbajxhan, njoftoi gjiganti austriak i energjetikës OMV. “Konsorciumi Shah Deniz II ka informuar OMV-n mbi vendimin lidhur me mënyrën e kërkuar dhe preferuar prej tyre për lëvrimet e gazit drejt Evropës. Projekti ‘Nabuco-West’ nuk është përzgjedhur nga konsorciumi që menaxhon furnizimet me gaz, Shah Deniz II”, theksohej në një komunikatë të publikuar vetëm pak minuta më parë nga OMV-ja. Konsorciumi, që përfshin “Socar”, britanikun “BP”, norvegjezin “Statoil” dhe francezin “Total”, njoftoi se do të publikonte në fund të muajit qershor vendimin mbi lëvrimin e gazit në Evropë nga Deti Kaspik. Konsorciumi përzgjodhi projektin e gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline) që do të kalojë nga kufiri greko-turk në Itali duke kaluar nga Greqia dhe Shqipëria. Një delegacion i konsorciumit të gazit në Azerbajxhan, ”Shah Deniz II”, që operon në rajonin Kaspik, informoi pak minuta më parë zyrtarisht kryeministrin grek, Adonis Samaras se kishte përzgjedhur për zbatim projektin e gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline), deklaroi një burim shumë i afërt me delegacionin dhe dosjen në fjalë.