Avokati i Popullit në Rrëshen, angazhohet për zgjidhjen e ankesave të banorëve

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte në Bashkinë e Rrëshenit së bashku me një grup ekspertësh të institucionit, me qëllim marrjen e ankesave nga qytetarët për shqetësimet që  kanë përballë strukturave shtetërore.

Totozani zhvilloi një takim me persona me aftësi të kufizuara në këtë bashki. Por sipas burimeve nga zyra e Avokatit të Popullit, biseda me ta e parashikuar për t’u zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Rrëshenit ishte e pamundur për shkak të mungesës së infrastrukturës së posaçme për personat para dhe tetraplegjikë, në këtë insititucion. Në këto kushte Totozani dëgjoi shqetësimet e tyre në një bisedë përpara bashkisë.

Advertisement

Përjashtimi i PAK nga subvencionimi i energjisë elektrike, pagesat tepër të ulëta që nuk garantojnë as minimumin jetik për ta, mungesa e plotë e shanseve për punësim dhe strehim ishin shqetësimet kryesore që këta persona ndanë me Avokatin e Popullit.

Gjithashtu, ata u ankuan për blerjen e ilaçeve me para në dorë, pasi nuk përfitonin nga rimbursimi për ato medikamente që u duheshin. Avokati i Popullit, Igli Totozani, premtoi se do të përgatisë rekomandime të menjëhershme për institucionet lidhur me shkeljen flagrante të statusit të të verbrit dhe të invalidëve para dhe tetraplegjikë.

Totozani së bashku me ekspertët e institucionit shkuan për një inspektim edhe në spitalin e Bashkisë së Rrëshenit, për të parë nga afër kushtet që ofrohen për pacientët në këtë zonë.

Avokati i Popullit e konsideroi të papranueshëm mungesën e një sistemi ngrohës për spitalin, kur dihet se gjatë dimrit në Rrëshen temperaturat zbresin nën zero gradë Celcius. Një tjetër ndërhyrje që duhet bërë me urgjencë, sipas Avokatit të Popullit, është plotësimi i nevojave të spitalit me mjekë specialistë. Mungesa e një mjeku obstetër gjinekolog i detyron pacientet që t’i bëjnë lindjet në spitalin e Lezhës.

Ndalesa tjetër e Avokatit të Popullit ishte në familjen Picaku në Rrëshen, pas ankesës së tyre për kushte jetese  të vështira,  mungeses se strehimit permes banesave sociale. Totozani tha se po e ndjek me prioritet këtë ankesë dhe do të angazhohet personalisht për zgjidhjen e situatës ku gjendet kjo familje.

Në takimin me Kryetarin e Bashkisë së Rrëshenit, Totozani tha se, “shqetësimet, problematikat dhe ankesat e shumta të regjistruara vetëm në një ditë nga Avokati i Popullit, duhet të gjejnë zgjidhje sa më të shpejta dhe pushteti vendor, strukturat e të cilit nuk duhet të krijojnë distanca me qytetarët, por të jenë një aleat i ngushtë i tyre në mbështetje të halleve që kanë”.