Asambleja e NATO-s në Tiranë, 6 komisariate në gatishmëri

Policia e Tiranës ka bërë me dije se me qëllim sigurimin e mbarëvajtjes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kanë kaluar në gatishmëri 6 komisariate, ndërkohë që 9 hotele ku do të qëndrojnë delegatët, janë marrë në ruajtje nga policia që mësohet se ka kryer edhe kontrolle me qen antieksploziv. Hotelet do të jenë të ruajtura 24 orë dhe çdo lëvizje e delegatëve do shoqërohet me patrulla të policisë. Pjesë e planit janë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Sigurisë dhe Mbrojtjes, Garda e Republikës që do ketë në kontroll Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohen punimet 3-ditore. Gjatë ditëve të këtij Sesioni, parkingu i Bashkisë së Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” nuk do të funksionojë. Përveç kufizimeve të qarkullimit rrugor, do jetë i ndaluar edhe qarkullimi për këmbësorët. Janë angazhuar gjithashtu edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparte të tjera speciale.

Advertisement