Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin e Ismail Morinës, personit që ngriti dronin në Beograd, 1 vit më parë (14 tetor), gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit ai u kap me pistoletë Zastava në brez me 6 fishekë. Policia njofton se gjatë kontrollit të makinës së Morinës, iu gjet dhe një pistoletë tjetër TT me 30 fishekë. Në makinë u gjet dhe një gëzhojë, e cila u sekuestrua në formën e provës materiale.
Morina akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa në ngarkim të tre të arrestuarve të tjerë do të rëndojë akuza e “Moskallëzimit të krimit”. Të arrestuarit e tjerë janë Erion Bahushi, 22 vjeç lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë; Denis Balla, 21 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, si dhe Marin Rexha, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Shtetasit Ismail Morina, gjatë kontrollit i është gjendur e fshehur në trup një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava“ me gjashtë fishekë. Ky shtetas ishte duke drejtuar mjetin tip “Land Rover” me targë AA 874 KY. Gjatë kontrollit të mjetit, në pjesët e brendshme të tij, është bërë e mundur gjetja dhe e një arme tjetër pistoletë tip TT si dhe 30 fishekëve për këtë pistoletë.
Po ashtu, gjatë kontrollit në mjet janë gjetur dhe 36 bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Gjithashtu në mjet është gjendur dhe një gëzhojë pistolete.
Menjëherë është bërë shoqërimi i tyre dhe i mjetit në komisariat dhe pas kryerjes së të gjitha veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ismail Morina, për veprën penale të “Mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake pa leje” dhe arrestimi i shtetasve Erion Bahushi, Denis Balla dhe Marin Rexha për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Materialet në ngarkim të tyre do t’i dërgohen Prokurorisë së rrethit për ndjekje e hetime të mëtejshme.