Gjykata e Tiranës caktoi të dielën masën e arrestit me burg për ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. E njëjta masë u dha edhe për ish-punonjësin e ministrisë, Artevis Menen.
Avokati Gjokutaj deklaroi se masa e sigurisë për klientin e tij është e padrejtë, pasi ai nuk është person që paraqet rrezikshmëri. Për këtë arsye, Genc Gjokutaj deklaroi për mediat se ky vendim i Gjykatës së Tiranës do të apelohet.
Ndërkohë, masa “detyrim paraqitjeje” u caktua për Pranvera Lilën.
Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera dhe disa prej ish-vartësve të tij të arrestuar u paraqitën sot në orën 13:00 në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj tyre.
Sipas prokurorisë, ka dyshime serioze se ish-ministri ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nëpërmjet procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore gjatë vitit 2013.
Vjedhja nga buxhetit i shtetit, sipas organit të akuzës, është në shumën e 30 milionë lekëve.