Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Guri Përgjegjin.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth 40 minuta.
46-vjecari akuzohet se ka përdhunuar vajzën e tij 15-vjecare.
Përgjegji nuk e ka pranuar akuzën dhe ka pretenduar se bashkëshortja e tij (njerka e vajzës) dhe vetë vajza duan ta fusin në burg.
Në dëshminë e tij, ai ka thënë se njerka e vajzës ka lidhje me një person tjetër dhe akuzat ndaj tij janë sajesë e këtyre personave.
Ndërsa e mitura në dëshminë e saj u tha hetuesve se kur po kthehej nga pazari me babain, ai i kishte thënë shoferit të mos ndalonte në vendin ku zbrisnin zakonisht, por më përpara. Kur vajza e ka pyetur përse, i ka thënë se e dinte ai atë punë. Sapo janë futur në një zonë të pyllëzuar, e ka përdhunuar.
Vajza i tha grupit hetimor, se shenja të përdhunimit mund të gjenin në rrobat që ajo mbante atë ditë, dhe rrobat janë dërguar në laborator për ekzaminim.
Edhe njerka e saj, gruaja e dytë e Guri Përgjegjit, me të cilin ka një fëmijë 3 vjeç, ka dëshmuar se ai e ngacmonte shpeshherë seksualisht të bijën, duke e prekur në vende intime dhe i thoshte se ajo do të bëhej prostitutë, edhe në prani të personave të tjerë.
Guri Përgjegji u arrestua pas 12 orësh ndjekje nga policia. Ai ishte strehuar në një shtëpi të braktisur të zonës së Kastriotit.