“Armo” gjobitet përsëri për ndotjen e mjedisit

Ndotjet mjedisore që shkakton kompania “Armo” në zonën e Ballshit si dhe shkarkimi i ujrave teknologjike në rrjedhën e lumit Gjanica, kanë bërë që kjo kompani të gjobitet nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit me 5 milionë lekë.

Pas kontrolleve të inspektorëve të kësaj strukture, kreu i Inspektoriatit, Ergys Agasi, pohoi se çdo subjekt që dëmton mjedisin do të gjobitet. Nëse ky veprim ripërsëritet, theksoi Agasi, masat ndëshkuese do të arrijnë deri në revokimin e lejes për kompaninë. Një muaj më parë, “Armo” u gjobit po me 5 milionë lekë për shkak të ndotjeve. Më vonë, ka reaguar kompania, e cila sqaroi avarinë që ndodhi në datë 7 janar, rreth orës 17:00 në ambientet e rafinerisë. “Armo” deklaroi se zjarri u shua në kohë, duke siguruar mbrojtjen e punonjësve dhe komunitetit. “Situata është tërësisht nën kontroll dhe gjithë grupi administrativ, teknik dhe operacional i shoqërisë ‘Armo’ po punon për vazhdimësinë e punës normale në këtë rafineri”, thekson kompania. Ndotja e shkaktuar nga kompania “Armo” është shndërruar në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e qyteteve të Ballshit dhe Fierit.

Advertisement