Armir Shkurti flet për Anjezën: Besimtare e devotshme, falej 5 herë në ditë

Një ditë pas publikimit të videoskandalit ku administratorja e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani, shihej teksa dhunonte një fëmijë 3-vjeçar, ka reaguar përmes një postimi në rrjtin social “Facebook” ish-kolegu i saj, moderatori Armir Shkurti. Ish-prezantuesi i emisionit investigativ “Alarm” u shpreh se Anjeza Shabani ishte besimtare e devotshme dhe falej 5 herë në ditë, një ose dy prej vakteve tek Xhamia e Xhurës, pranë Kinostudios. “Anjeza Shabani ka qenë pjesë e emisionit “Alarm” dhe ka dhënë kontributin e saj si prezantuese. Korrekte dhe e impenjuar. Në raste të ngjashme me të sajin mbrëmë, ka mbushur sytë me lot e ka mallkuar dorën që ka qëlluar foshnjen. Në atë periudhë të paktën, se tani nuk e di, falte 5 vakte, një a dy prej të cilave në Xhaminë e Xhurës, pas Kinostudios. Iku nga “Alarmi” në vitin 2013 kur do lindte vajzën, së cilës i vuri emrin Diren, emrin e të cilës ia ka vënë edhe kopshtit. Për këto arsye, tronditja dhe befasia e neveria ime ishin të mëdha. Zhgënjim nga dikush që ti pret të jetë në majat e luftës, të paktën asaj në mbrojtje të më të dobtëve. E pashë në lokalin pranë shtëpisë emisionin mbrëmë, me burra të tjerë, dhe që të gjithë njëzëri, pasi e shamë, deklaruam: “T’ia bënte tim biri, unë e kisha vrarë”….por unë e di që s’jemi nga ata burra…”, shkruan Shkurti.
Advertisement