Ardian Fullani i pafajshëm, gjykata rrëzon kërkesën e Prokurorisë për 5 vjet burg

“Pasi pamë e shqyrtuam procesin, Ardian Fullani shpallet i pafajshëm, t’i hiqet masa e detyrimit me paraqitje, shpenzimet proceduriale i ngarkohen prokurorisë”, deklaroi kreu i trupit gjykues Artan Gjermeni.

Në këtë mënyrë me vetëm tre seanca gjyqësore, më pak se dy javë në paraburgim e gati një vit hetime nga prokuroria, ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pafajësinë ashtu siç edhe pretendoi gjatë këtyre muajve.

Advertisement

Gjyqtari Artan Gjermeni shpalli vetëm dispozitivin, ndërsa pritet që brenda këtyre pesë ditëve të dorëzojë argumentat se ku bazohet gjykata në këtë vendim. Ajo që dihet në rrugë jo zyrtare është se gjykata shprehet se prokuroria nuk ka mundur ta provojë me fakte qëndrimin e saj në të cilin e akuzonte ish guvernatorin për shpërdorim detyre në dy episode.

Në episodin e parë për super skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë në vlerën e 713 milionë lekëve, dosje për të cilën janë dënuar deri më tani 15 të pandehur, ndërsa drejtësia nuk ka folur ende për ish kryeinspektoren Elivar Golemi.

Për ish guvernatorin Fullani, i gjykuar veçmas dhe në mungesë, prokuroria kërkoi pesë vjet burgim që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, do të thoshte 3 vjet e katër muaj heqje lirie.

Episodi i dytë që e shikonte të dyshimtë rolin e Fullanit ka lidhje me shitjen e hotel Dajtit që sipas organit të akuzës në shkelje të rregullave, procedurat kanë qënë thjesht formale.

Por edhe pse prokuroria nënvizoi se të merrej parasysh ne këtë vendime dhe fakti i mos funksionimit të institucionit më të rëndësishëm financiar në vend gjatë kohës që drejtohej nga Fullani si edhe rrezikshmëria e veprës, gjykata në më pak se një orë deklaroi pafajësinë, e cila pritet të kundërshtohet në Gjykatën e Apelit.