Arben Ndoka nuk do të jetë më deputet i parlametit shqiptar. Ai e ka njoftuar dorëheqjen nga mandati, duke u bërë kështu i pari anëtar i parlamentit që largohet pas akuzave publike të bëra kundër tij, si person me të shkuar kriminale. Dorëheqjen Ndoka e njoftoi me një letër të hapur drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Ai ka rrëfyer me detaje të gjithë jetën e tij dhe historinë e dënimit të tij në Itali për trafik të qënieve njerëzore. Për këtë ngjarje, që u bë shkak i akuzave publike nga opozita, ai thotë se është një çështje e montuar nga e dashura e vëllait të tij dhe një polic italian.
Ndoka u kërkon kolegëve të tij falje për sikletin që u ka sjellë për shkak të akuzave të opozitës në adresë të tij.
“Më falni shumë për gjithë këto rreshta, po sidomos për sikletet që ju kanë ardhur nga unë. Ju rrefeva jetën time ashtu si munda, sepse nuk dua që të iki duke ju lënë të mendoni se unë jam ai krimineli që ka merituar atë dënimin e rëndë. E vërteta ime mua nuk më vlen, unë jam një njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë. Kam shumë shpresë që t’ju vlejë juve për të mos u ndjerë keq që më keni pranuar mes jush dhe nuk më keni lënë të ndjehem i vetmuar, kur më kanë sulmuar egërsisht. Por, ju të gjithë miq deputetë, qeveria jonë dhe Partia Socialistë nuk keni pse të viheni në siklet asnjë ditë më shumë nga prania ime”.
Emri i Arben Ndokës ishte i pari i denoncuar publikisht nga opozita si deputet i dënuar për vepra të rënda kriminale.
Këto akuza u bënë shkak që ai të godiste, më 10 Korrik, me grusht deputetin demokrat Gent Strazimiri, në korridorin e parlamentit, pak sekonda pasi Strazimiri kishte folur për deputetë të dënuar që gjendeshin në gjirin e Partisë Socialiste.