10 ditë pas pezullimit, Haki Çako është rikthyer në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Vendimi u dha në Gjykatën e Apelit nga tre gjyqtarët, Marie Qiriazi dhe anëtarët Ervin Metalla e Fiqirete Mullaj. Gjykata vendosi të prishë vendimin e pezullimit të Gjykatës së Tiranës, pasi u njoh dhe me një provë të re të sjellë nga avokati mbrojtës Maks Haxhia. Ajo kishte të bënte me saktësimin nëpërmjet një shkrese që autoritetet italiane kanë konfirmuar se pajisja ka qenë gjatë gjithë kohës në ambientet e Ambasadës italiane dhe ka dalë vetëm për efekt trajnimi. Haki Çako nuk ishte i pranishëm në seancën e ankimit. Ndërsa Prokuroria pritet të bëj rekurs në Gjykatën e Lartë, për të kthyer në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për pezullim nga detyra. Drejtori i Policisë akuzohet nga Prokruoria për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, lidhur me dyshimet se pajisja IMSI Catcher është futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe se me të janë kryer përgjime në kundërshtim me ligjin.