Kryeministri i vendit Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të reaguar ndaj protestës së zhvilluar dy ditë më parë nga opozita ku u vu re një pjesëmarrje masive njerëzish. Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare, Rama shprehet se ata që ankohen për taksat janë njerëz që nuk i kanë paguar kurrë ato dhe se sipas tij 95 për qind e shqiptarëve paguajnë sot më pak se një vit më parë. Rama ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për rritje të çmimeve, përkundrazi sipas kreut të qeverisë është rritur konsumi.
“Ankohet për rritje çmimesh kush dëgjon propagandën e pushtethumburve! Çmimet s’janë rritur, përkundrazi: Eshtë rritur konsumi”,- thotë ai.
Rama më tej bën me dije se aksioni kundër vjedhësve të energjisë do të vijojë, madje do të ashpërsohet, duke shtuar se ata që ankohen për aksionin e ndërmarrë nga qeveria janë njerëz që asnjëherë nuk kanë paguar energjinë elektrike
“Jemi votuar te bejme shtetin e qytetareve qe duan ligj,pune e mireqenie,jo rrumpalle! Punesimi e mireqenia rriten me respekt per rregullat”, shkruan Rama në një tjetër postim.
Burimi: Gazeta Shqip