Marrëveshja kryesore e arritur në këtë samit është shuma e ofruar prej 1.1 trilion dollarësh që do t’u jepen organizatave të ndryshme financiare, ku një pjesë të mirë të kësaj shume do ta marrë Fondi Monetar Ndërkombetar, duke qënë se arkat e saj janë dobësuar, si pasojë e ndihmës që ky institucion i ka dhënë vendeve të ndryshme të Europës Lindore. Konkretisht për të ndihmuar vendet më të prekura, Fondi Monetar Ndërkombëtar do të marrë një shumë prej 500 miliard dollarësh. Ndërkaq, 250 miliard dollarë do t’i jepen Bankës Botërore. Me sa duket kriza financiare globale ka shërbyer për të mbledhur vendet më të zhvilluara që të ndërmarrin veprime të koordinuara. Në fund të këtij samiti, Kryeministri britanik Gordon Brawn deklaroi se pagesat dhe shpërblimet e bankierëve do të jenë objekt i kontrolleve rigoroze. Asetet e këqija do të luftohen në mënyrë të përbashkët, ndërsa vendet më të varfëra do të marrin 50 miliard dollarë. Edhe Presidenti i Francës, Sarkozy, ka përshëndetur përfundimin e punimeve të samitit, duke u shprehur i kënaqur për rezultatet e arritura. “Koha e sekreteve financiare mori fund” deklaroi Sarkozy. Ndërkaq, mësohet se nje tjeter samit i G20 do të zhvillohet brenda këtij viti.