Ndërkombëtarët vijojnë përpjekjet për dialogun dhe miratimin e reformës në drejtësi. Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, fatmir Xhafaj. Takimi është zhvilluar në kryesinë e Kuvendit. Ambasadorët takohen me kreun e Komisionit të Reformës në Drejtësi pas dështimit të takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për arritjen e një dakordësie lidhur me këtë çështje. Pika ku palët nuk po gjejnë dakordësinë është çështja e emërimeve në institucionet e larta të drejtësisë. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, kreu demokrat Basha ka thënë se nëse deputetët e PD-së do të votojnë pro draftit të Reformës në Drejtësi që Partia Socialiste do të çojë në Kuvend, Paria Demokratike do të djegë mandatet e deputetëve.